Në konferencën e 12-të të Dhomave të Specializuara në Hagë, avokati i ish-presidentit  Hashim Thaçi, ka folur për raportimet se shërbimet sekrete serbe kanë pasur plan ta vrasin Dick Marty-n, në mënyrë që t’ua lënë fajin shqiptarëve të Kosovës.

“Është zbuluar një përpjekje për ta vrarë Dick Martyn. Autoritetet serbe nxorën një kontratë për vrasjen e Dick Martit për të fajësuar shqiptarët e Kosovës”, ka theksuar avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

Gregory Kehoe, avokat i Thaçit, ka vënë në dyshim provat e Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS), të cilat vijnë nga shteti serb.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe

Kehoe ka përmendur edhe rastin e njohur si “Panda”, ku shërbimi sekret serb kishte vrarë disa serbë e më pas kishte tentuar t’ia lërë fajin shqiptarëve të Kosovës.

“ZPS ka zyre në Beograd dhe nuk ka gjetkë a do të bashkëpunojnë me autoritetet serbe dhe çfarë dimë ne për falsifikimin e rasteve që mund ta kenë bërë me qëllim që t’i fajësojnë kolegët tanë në Kosovë? Kolegu im foli për rastin “Panda”, në këto incidente serbët vranë serbët për t’i fajësuar shqiptarët”, ka deklaruar ai.

“Serbia i ka dërguar mbi 1000 dokumente Dick Marty-t, për t’i fajësuar shqiptarët”

Avokati i Thaçit ka vazhduar me pyetje për mënyrën se si Gjykata Speciale bashkëpunon me autoritetet serbe. Ai ka përmendur edhe raportin e Dick Martyt, për të cilin tha se autoritetet sekrete serbe i kanë dërguar më shumë se 1000 dokumente për ta krijuar atë raport.

“Ku ndodhemi tani me bashkëpunimin e autoriteteve Serbe? Duke pasur parasysh që dokumenti themeltar i kësaj gjykate është raporti i Dick Marty-t, dhe ajo që është raportuar në atë libër dhe në media të Serbisë, është që ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër ishte përgjegjës bashkë me autoritetet serbe që të dorëzonte zotit Marty më shumë se 1000 dokumente, e kanë bërë këtë në vitin 2009”, ka theksuar Kehoe.

Në fund Kehoe është shprehur se marrëdhëniet e Gjykatës Speciale duhet të jenë në nivel të njejtë me të gjithë, dhe se sipas tij, duhet që të gjithë të informohen se informatat e gjykatës a po vijnë nga shërbimet serbe.