Prosper pas dënimit të Thaçit: Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë

Pierre-Richard Prosper, avokat në ekipin mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Thaçi u dënua me 25 vjet burgim.

Prosper e ka cilësuar vendimin si një “shkelje të drejtësisë”, duke deklaruar se beteja ligjore nuk përfundon me aktgjykimin e shkallës së parë.

“Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë. Është e qartë për mua dhe për ne se vendimi ishte i paracaktuar”, ka deklaruar Prosper.

Avokati i Thaçit iu referua edhe dëshmive të disa figurave ndërkombëtare që ishin të përfshira në proceset diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës në Kosovë. Ai përmendi gjeneralin amerikan Wesley Clark, diplomatin Jamie Rubin dhe diplomatin Christopher Hill.

Sipas Prosperit, dëshmitë e tyre kanë paraqitur një pasqyrë tjetër për rolin e Thaçit gjatë luftës në Kosovë.

“Në Tribunalin e Hagës kemi parë histori. Kemi parë gjeneralin Clark, Jamie Rubin, Chris Hill dhe njerëzit që ishin atje dhe ndanë eksperiencën e tyre me ne. Ata e bënë të qartë se Thaçi nuk ishte në krye. Por ajo që dëgjuam sot është se Gjykata rishkroi historinë”, ka thënë Prosper.

Prosper ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar në aktgjykim roli i UÇK-së dhe raporti i saj me NATO-n.

“Ata po thonë që NATO bëri partneritet të qëllimshëm me një ‘ndërmarrje kriminale’”, ka deklaruar ai.

Avokati ka bërë të ditur se mbrojtja nuk e konsideron të përfunduar betejën ligjore, duke paralajmëruar se ajo do të vazhdojë në procedurat e mëtejshme.

“Lufta për drejtësi do të vazhdojë”, ka përfunduar Prosper.

Deklarata e tij vjen pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18, Rexhep Selimi me 13 dhe Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim. Në total, katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vjet burgim.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika