Azemi: Nëse s’ka rritje pagash, 120 punëtorë teknikë do të largohen nga puna

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se 120 punëtorë teknikë të shkollave në Prishtinë i janë bashkuar grevës me kërkesë për rritje page.

Pas vizitës që e bëri në Shkollën e Mesme “Naim Frashëri” në Prishtinë, Azemi deklaroi se të gjitha shkollat kanë hyrë në grevë, përjashtuar shkollën “Dardania”. Për këtë të fundit, shprehet optimist se do t’i bashkohet nesër grevës.

“Me përjashtim të shkollës ‘Dardania’ të cilët mendoj se gjatë ditës do t’i bashkangjiten, të gjitha shkollat janë në grevë dhe realisht kjo grevë ka ardhë si pasojë e presionit të punëtorëve. Nëse nuk realizohen kërkesat tona, në bazë të vendimit që e kanë sjellë punëtorët këtë javë do të negociohet, nëse nuk ka negocime, atëherë javën tjetër të gjithë punëtorët do të lirojnë vendet e tyre të punës dhe do të sillen punëtorët tjerë. Është një diskriminim i llojit të tillë, përderisa në të njëjtin vend në të njëjtën shkollë këta punojnë dhe marrin dikush 230 e dikush 270 euro, po të njëjtit punëtorë marrin 405 euro, ka buxhet, por nuk ka ndershmëri. Po më duket që Komuna e Prishtinës sa më keq që është, po i duket se është më mirë”, u shpreh Azemi.

E në rast se nuk përmbushen kërkesat e tyre, Azemi ka paralajmëruar largim të të gjithë punëtorëve nga shkollat e kryeqytetit.

“Realisht që një vit ne negociojmë dhe nuk mund të qasemi ashtu si duhet dhe ka ardhë një kohë që ne nuk do të punojmë për të tjerët, ne do ta kryejmë obligimin tonë, por duam pagesën tonë, nëse jo, realisht nga java tjetër këta punëtorë nuk do të jenë këtu dhe komuna le t’i gjejë punëtorë tjerë”, deklaroi Azemi, duke thënë se greva po respektohet 100 për qind.

“Numri i (punëtorëve që kanë hyrë në grevë) është rreth 120. Thashë se ‘Dardania’ gjatë ditës hyn, sepse ka qenë një moskoordinim i mirë në atë aspekt dhe greva po respektohet 100 për qind sipas marrëveshjes që është bërë”.

E Nazmi Veseli, punëtor teknik në shkollën “Naim Frashëri”, e konsideron të papranueshëm pagën që e merr.

“Për arsye se jem në grevë, na kanë imponu pa qare, pa dashjen tonë, sepse rroga është shumë e ulët, 270 nuk janë kurrgjë, jemi duke kërkuar barazimin e kolegeve tanë që janë nën menaxhimin e komunës, vetëm atë jemi duke kërkuar, asgjë më shumë. Çdoherë na kanë thënë shtator, tetor do të këqyrim, dhe për këtë arsye pa dëshirën tonë se po na vjen keq prej nxënësve, sepse nxënësit janë duke e pësuar, por na u ka imponuar”, u shpreh ai.

Kërkesë të njëjtë ka edhe Nadire Buzuku, e cila mirëmban këtë shkollë.

“Jam punëtore e shkollës ‘Naim Frashëri’. Jemi hyrë në grevë për shkak të rrogës, sepse 270 euro nuk po na dalin, megjithë shpenzimet që i kemi. Kemi kërkuar çdoherë, protesta, greva, por nuk ka pas asgjë prej tyre. Asnjë shtet nuk ka më keq se na”, deklaroi Buzuku.

Azemi vazhdoi në Shkollën e Mesme “Pjetës Bogdani”./EO

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika