Kryetar i SPSPK-së, Jusuf Azemi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë një shkelje kushtetuese pasi nuk përfshiu punëtorët e sektorit privat në dhënien e 50-eurove shtesë.
Nga 50 euro shtesë në pagë do të ndahen për punëtorët e sektorit publik edhe në muajin janar, ka vendosur Qeveria të mërkurën. Lidhur me këtë, Kryetari Azemi ka thënë se Qeveria Kurti ka shantazhuar punëtorët e sektorit privat në vazhdimësi.
“Ne mendojmë që edhe me vendimin e sotëm që bëri Qeveria e Kosovës ka bërë një shkelje kushtetuese me këtë vendim pse nuk iu ndan edhe punëtorve të sektorit privat të Kosovës… Qeveria e Kosovës bëri shkelje ligjore pasi që ne jemi pothuajse pjesa më e madhe ata të cilët financojmë për buxhetin e Kosovës dhe për atë buxhet, nëse do të ketë ndarje për çfarëdo lloj arsyesh, ne pse duhet të ndahemi? Mendoj se kjo qeveri në vazhdimësi është duke i shantazhuar punëtorët e sektorit privat të Kosovës pasi që ne e kemi thënë dhe po e përsërisim, puntorët e sektorit publik nuk janë në një gjendje për të cilën mund të lavdërohemi por në raport me punëtorët e sektorit privat, janë dyfish apo trefish me paga, edhe me sigurinë, edhe me shëndetin, edhe me orarin e punës edhe me njëfarë forme, me respektimin e ligjit të punës dhe ligjeve të tjera, janë shumë më të favorizuar sesa ne dhe me njëfarë forme po bëhet kjo ndarje”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, i njëjti ka thënë se një ndarje të tillë nuk e kishte parë që nga vitet e 90-ta dhe se Qeveria po vazhdon atë që bënin pronarët e kompanive.
“Unë ndoshta nuk është e lehtë t’a them por këtë lloj ndarjesh e kemi patur vetëm në vitin 1990-1999. Mos t’i ndahet një punëtori që merr pagë prej 170 eurosh një subvencion prej 50 eurosh dhe t’i ndahet një punëtori që merr pagë 700-800 euro, me të vërtet nuk kam mundur të besoj dhe të besoj se një qeveri e shtetit tonë do e bëjë këtë”, ka deklaruar ai gjersa ka shtuar se “njëherit na kanë trajtuar pronarët e kompanive si skllevër tanimë qeveria e Kosovës është duke e vazhduar rrugëtimin e tyre”.
Azemi ka thënë se do të presë informacione nga shoqatat e tjera lidhur me një organizim të një proteste lidhur me përjashtimin e sektorit privat nga subvencioni prej 50 eurosh.
Lidhur me shtesat, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ka qenë premtim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, tani në krye me Kurtin, që të paguhet kjo shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.