Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Mal të Zi, ku një 34-vjeçar dyshohet se ka vrarë vajzën e tij dyvjeçare dhe më pas ka kryer vetëvrasje, raportoi mediumi Vijesti.

Sipas njoftimit të policisë, burri fillimisht kishte sulmuar bashkëshorten pas një debati në familje, e më pas ishte larguar nga shtëpia duke marrë me vete vajzën e vogël.

Trupat e pajetë të babait dhe vajzës u gjetën në zonën e Golijës nga babai i 34-vjeçarit, i cili më pas njoftoi policinë.

Në vendin e ngjarjes kanë arritur menjëherë njësitë policore dhe një ambulancë, ku është konfirmuar vdekja e tyre.

Hetimet janë duke u zhvilluar dhe po drejtohen nga Zyra e Prokurorit të Podgoricës.