Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj personit, i cili e kishte sulmuar fizikisht djalin dhe vëllain e tij.

Sipas prokurorisë, i pandehuri me inicialet V.B, qëllimisht kishte ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij E.B.

“Prokuroria njofton se, më 18 korrik 2022 , në Komunën e Malishevës, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri V.B., me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit, djalit të tij, E.B., ku pas një mosmarrëveshje paraprake që kishin në mes tyre, i pandehuri fillon qe t’i bërtasë djalit të tij, më pastaj revoltohet dhe e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me shuplaka në kokë. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se në po të njëjtin vend i pandehuri i shkakton lëndime trupore edhe vëllait të tij me iniciale I.B.

“I dëmtuari I.B., pasi vëren të pandehurin duke e goditur djalin e tij, ndërhyn për t’i ndarë, por i pandehuri revoltohet dhe e merr një mjet të fortë dhe me të e sulmon fizikisht, duke e goditur në kokë, shpinë, duar dhe në pjesë të tjera te trupit, me ç ‘rast të dëmtuarit i shkakton lëndime trupore. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin.1.4 të KPRK-së”, vijon njoftimi.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri V.B., të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë.