Bajqinofci akuzon LDK-në: Ka zgjedhur të shërbejë si parti e pazareve të nëndheshme
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinofci, ka akuzuar partinë tashmë në opozitë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, se është zvarritur për më shumë se një dekadë me grupet e interesit të përbashkët me PDK-në. Sipas tij, kjo parti ka zgjedhur që të shërbejë si parti e pazareve të nëndheshme me grupe të përbashkëta biznesi […]
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinofci, ka akuzuar partinë tashmë në opozitë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, se është zvarritur për më shumë se një dekadë me grupet e interesit të përbashkët me PDK-në.
Sipas tij, kjo parti ka zgjedhur që të shërbejë si parti e pazareve të nëndheshme me grupe të përbashkëta biznesi me PDK-në dhe partitë e tjera të vjetra.
“E zvarritur, vijon jetën e saj politike nga humbja në humbje. LDK-në, në këto 15 vite, nuk e gjejmë si qendër e rëndësishme politike në Kosovë sepse ka zgjedhur të shërbejë si parti e pazareve të nëndheshme me grupet e përbashkëta të biznesit me PDK-në e partitë tjera të vjetra. Si monedhë kusuritje e pazareve korruptive, LDK-ja natyrisht se nuk ka shanse të fitojë asnjë betejë politike, sikurse nuk i ka fituar”, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.
Deputeti i LVV-së ka thënë se LDK-ja po mundohet që humbjen e betejave ta kompensojë me beteja juridike në Gjykatën Kushtetuese.
“Tani, duke përdorur metodat dhe linjat, edhe ndonjë ditë të instaluara të shtetit të kapur në sistemin e drejtësisë apo institucioneve të pavarura, LDK humbjen e betejave po provon që ta kompensojë me beteja juridike në Gjykatën Kushtetuese, aty, ku shpresojnë t’u shkrepin ish kandidatët për deputetë të saj që me ato marrëveshjet e koalicionit që bazoheshin në ndarjen e plaçkes 50 me 50, të vonojë sado pak Qeverinë dhe mazhorancën aktuale në ndërtimin e kornizës së reformave afatgjate zhvillimore ekonomike dhe të drejtësisë”, ka shkruar tutje ai.
Ndër të tjera, sipas tij, përpjekja e partive opozitare për instrumentalizimin e qëllimshëm të institucioneve të pavarura kushtetuese kundër programit të reformës, përveç ngjeshjes së pozicionit ligjor të atyre institucioneve, po tregon qartë se “PLAN-i”, jo vetëm që nuk ka reflektuar që nga 14 shkurti i vitit 2021, por siç ka thënë ai, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma janë të etur për të vazhduar atë që kishin bërë me pasurinë publike më parë.















