Bajraktari: Trupi Gjykues dështoi për t’u dëshmuar objektiv – vendimi rrënon besimin në drejtësi
Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku është refuzuar mocioni i palës mbrojtëse për rrëzimin e akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në postimin e tij, Bajraktari ka shprehur zhgënjimin ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si një dështim të drejtësisë […]
Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku është refuzuar mocioni i palës mbrojtëse për rrëzimin e akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në postimin e tij, Bajraktari ka shprehur zhgënjimin ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si një dështim të drejtësisë ndërkombëtare për të treguar objektivitet dhe paanshmëri.
“Trupi Gjykues dështoi për t’u dëshmuar objektiv!
Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të palës mbrojtëse, e cila i referohet kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur (luftës), në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është dështim i Trupit Gjykues dhe i Gjykatës për t’u dëshmuar objektiv, duke e rrënuar kështu edhe më shumë besimin e publikut në drejtësi. Koncepti dhe mënyra se si funksionon kjo Gjykatë lë hapësira të mëdha për dyshime.
Megjithatë, ende ka shpresë – nëse ka drejtësi. Faza pasuese është vendimtare për palën mbrojtëse.
Duam drejtësi!”, ka shkruar Bajraktari.
Ndryshe, sot Trupi gjykues i Themelores së Dhomave të Specializuara e rrëzoi parashtrimin e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit për t’i hequr nga aktakuza të gjitha incidentet që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e peridhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin. Smith tha po ashtu se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja. Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të Mbrojtësit të Viktimave.















