Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka dënuar gjuhën e përdorur nga anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave, duke e cilësuar atë si një formë të shtypjes dhe intimidimit të gazetarëve.

AGK-ja dënon gjuhën skandaloze dhe kërcënuese të Sami Kurteshit

Në një postim në Facebook, Bajrami ka theksuar se sot duhet të jetë lajm mënyra se si Vetëvendosja “shtyp” gazetarët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe si përfaqësuesit e saj i akuzojnë gazetarët për punë në “media kriminale të vrasësve me pagesë”.

“Sot, nuk është lajmi kryesor se çfarë thotë Çeku i Vetëvendosjes për LDK-në, por se si Vetëvendosje po shtyp gazetarët në Televizionin Publik, se si përfaqësuesi i Vetëvendosjes i akuzon gazetarët se po punojnë për “media kriminale, të vrasësve me pagesë”. Sot, dhe çdo ditë duhet të merrmi me këta pushtetarë që kanë instaluar mekanizma shtypës ndaj gazetarëve dhe se si partia në pushtet, përmes veglave partiake, po i ndëshkon dhe disiplinon gazetarët e RTK-së, e po provon të njëjtën gjë të bëj edhe me mediet private.

RTK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nuk është televizion i partisë në pushtet. Ka ardhur koha që organet e drejtësisë të merren seriozisht me dhunuesit e RTK-së dhe me dhunuesit e gazetarëve profesionistë që punojnë aty”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka kërkuar që organet e drejtësisë të ndërhyjnë në rastin e RTK-së, duke e cilësuar këtë medium si një institucion publik që nuk duhet të jetë nën ndikimin e partisë në pushtet.

Bajrami ka akuzuar Qeverinë për frikë nga llogaridhënia për krimin, korrupsionin dhe subvencionet partiake, duke sugjeruar se qëndrimi në pushtet është mënyra e tyre për të shmangur drejtësinë.

“Shqetësimi më i madh i pushtetarëve nuk është kush e mban fjalën e kush jo, sepse në fund secili jepë përgjegjësi për fjalën e dhënë, këta e kanë një frikë tjetër është frika për llogaridhënie për krimin, korrupsionin dhe subvencionet partiake e familjare madje edhe në Ministrinë e Kulturës. Këta mendojnë se të vetmin shpetim e kanë duke qëndruar në pushtet, kështu mendojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, njëjtë siç po bën prej kohësh shefi i tyre, duke mos dhënë as deklaratë si dëshmitar në Prokurori”, ka shtuar Bajrami.