Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit lidhur me gjendjen në deponinë rajonale të mbeturinave në Sferkë të Pejës.
Bajrami përmes një postimi ne “Facebook”, tha se kallëzimi penal i është dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, deponia është përfshirë nga zjarri prej pesë ditësh, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Ajo theksoi se problemi nuk lidhet vetëm me zjarrin, por me mënyrën e menaxhimit të deponisë ndër vite.
Bajrami pretendon se, pas përfundimit të menaxhimit të deponisë nga kontingjenti italian i KFOR-it më shumë se një dekadë më parë, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare, pasi nuk janë groposur dhe mbuluar me dhe, duke shkaktuar ndotje të vazhdueshme të ajrit, tokës dhe ujërave.
Ajo rikujtoi se deponia aktualisht menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionare e vetme e së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në kallëzimin penal, Bajrami thotë se ka kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, si dhe të institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur përgjegjësi për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite. Sipas saj, në mesin e institucioneve që duhet të hetohen janë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente.
Ajo ka kërkuar hetime për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të verifikuar nëse ka pasur mosveprim ose keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës.
Bajrami theksoi se e drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkoi që Prokuroria ta trajtojë rastin me prioritet, ndërsa institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për sanimin e gjendjes dhe mbylljen e përhershme të deponisë.