Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime rreth tenderit prej 137 milionë eurosh të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), i cili sipas saj, u pezullua në mënyrë të papritur një ditë para afatit përfundimtar të dorëzimit të ofertave.

Tenderi në fjalë kishte për qëllim “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A, një projekt kyç për sigurinë energjetike të vendit.

Sipas Bajramit, procedura e zhvillimit të tenderit ka qenë e dyshimtë që nga fillimi.

“enderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A, me vlerë 137,340,000 Euro, është pezulluar dje, vetëm një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave. Ky tender ka ngritur dyshime të forta për muaj me radhë, është zhvilluar në mënyrë të dyshimtë.

Disa nga faktet:

– Mungesë transparence: Tenderi u hap pa studim fizibiliteti dhe pa përshkrim teknik, duke lënë të paqartë se çfarë punësh kërkohen nga operatori ekonomik.

– Procedura të manipuluara: Procesi u korrigjua dhe afatet u shtynë disa herë, duke krijuar hapësirë për dyshime.

– Tender i hapur me negociata: Në njoftim thuhej se KEK do të pranonte vetëm gjashtë ofertues dhe mandej do të negocionte se kujt të ja japë tenderin , për më tepër nuk ishin paraparë penalizime për mosrealizim të punimeve.

– Ndërkohë që po flasim për njësisë A3, që sipas vet KEK-ut kjo njësi prodhon rreth 10% të kërkesës së energjisë në Kosovë, duke e bërë tenderin jetik për sigurinë energjetike.

Pezullimi i papritur ngrit pyetje serioze:

1. Pse u pezullua në momentin e fundit, kur procesi duhej të përfundonte?

2. A po tentohet të fshihet ndonjë shkelje e mundshme ligjore?

3. A po i jepet kohë ndonjë kompanie të favorizuar për të rregulluar ofertën?

4. Pse u fshinë ofertat e dorëzuara nga sistemi dhe u kërkua ridorëzimi i tyre nga fillimi?

5. Pse nuk u anulua plotësisht tenderi, nëse ka kaq shumë parregullsi?”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Në përfundim, deputetja paralajmëron se ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të larta për energjinë e importuar, fitimet e tregtarëve të energjisë po rriten.

“Ky pezullim nuk duket si veprim përgjegjës, por si një hap për të mbuluar një skemë të mundshme korruptive me vlerë 137 milionë euro. Pezullimi i sotëm duket si manovra e radhës për ta rikthyer nesër tenderin me të njëjtat probleme dhe përfitues të dyshimtë.

Tenderi duhet anuluar plotësisht dhe aktorët e përfshirë duhet të hetohen deri në fund.

E derisa kemi skema të tilla në veprim dhe të paprekura nga hetuesia qytetarët po paguajnë çmimin e lartë të importit të energjisë e fitimet e tragtarëve të energjisë po rritën në mënyrë eksponenciale”, ka shtuar Bajrami.