Bajrami: Kështu do të vazhdojmë derisa VV-ja të reflektojë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk do të reflektojë, situata do të mbetet e njëjtë. Bajrami përsëriti se ndryshimi për votim të fshehtë është shkelje ligjore e kushtetuese. “VV-ja tash ka ndryshuar strategji. Në vend që të vendosë emrin e Albulena Haxhiut, tani po kërkon votë për një komision […]
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk do të reflektojë, situata do të mbetet e njëjtë.
Bajrami përsëriti se ndryshimi për votim të fshehtë është shkelje ligjore e kushtetuese.
“VV-ja tash ka ndryshuar strategji. Në vend që të vendosë emrin e Albulena Haxhiut, tani po kërkon votë për një komision për votim të fshehtë, të cilin e kemi argumentuar se është shkelje ligjore e kushtetuese ndryshim i votimit në proces. Nuk do të bëhemi pjesë e një shkelje të tillë. Na vjen keq për Deharin, i cili nuk përfaqëson partinë ku bën pjesë, por është si kryesues për shkak të moshës. Ai duhet ta ndjekë skenarin e sekretariatit të Kuvendit. Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun. Kryeparlamentari duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata të reflektojnë”, u shpreh deputetja e LDK-së.
Ndryshe, Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.
Po atë ditë, deputetët u mblodhën, por kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja kërkoi që të krijohet një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Por, PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin ndonjë deputet për këtë komision dhe seanca u ndërpre.
Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.















