Deputetja e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor në Kosovë, duke thënë se problemet në klinikat publike janë pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit.
Bajrami ka deklaruar se gjendja reale e shtetit nuk mund të matet përmes konferencave për media apo statistikave të prezantuara nga qeveritarët, por duke parë kushtet me të cilat përballen pacientët.
“Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, mos e gjykoni nga konferencat për media, nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë e që kurrë nuk e përfshijnë inflacionin, as nga dy-tri korridore të renovuara në QKUK. Pyetni të sëmurët”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kërkuar që të vizitohen klinikat e QKUK-së, duke përmendur Pediatrinë, Gjinekologjinë, Onkologjinë dhe Ortopedinë, ku sipas saj pacientët përballen me lista të gjata pritjeje dhe mungesë të materialeve të nevojshme.
“Shkoni në Pediatri. Shkoni në Gjinekologji. Shkoni në Onkologji. Shkoni në Ortopedi dhe shihni listat e pritjes, ku për shkak të dështimit të tenderëve për furnizim me material, pacientët presin me vite për një ndërhyrje”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se kritikat nuk duhet të drejtohen ndaj mjekëve dhe infermierëve, duke i vlerësuar për punën e tyre në kushte të vështira.
“Mos i fajësoni mjekët dhe infermierët. Ata punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë ta mbajnë në këmbë sistemin. Përgjegjësia nuk është e tyre”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka akuzuar qeverisjen aktuale për dështime në menaxhimin e shëndetësisë, duke e lidhur gjendjen me keqpërdorime në tenderë.
“Pas gjashtë vjetësh me të gjitha nivelet e pushtetit në duar dhe me rreth 4 miliardë euro buxhet çdo vit, ta kesh shëndetësinë në këtë gjendje është turp. Dhe kjo gjendje nuk është rastësi. Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është ‘korrupsion’”, ka deklaruar ajo.