Hykmete Bajram, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka deklaruar para mediave pas dështimit të 12-të të seancës konstituive të Kuvendit se partia e saj është ende në pritje të përgjigjeve zyrtare nga liderët e partive politike lidhur me propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse të tranzicionit, e cila do të kishte mandat deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Bajrami theksoi se një qeveri nacionale është, sipas LDK-së, e vetmja zgjidhje aktuale për të dalë nga bllokada institucionale dhe për t’u fokusuar në problemet reale të qytetarëve.

“Na vjen keq, por është bërë e qartë se kush po e bllokon procesin dhe kush nuk ka vullnet politik për ta zhbllokuar situatën. Kur nuk i ke numrat, siç është rasti i Vetëvendosjes, nuk mund të imponosh zgjidhje të tjerëve,” tha ajo.

Tutje Bajrami tha se LDK-ja ka treguar gatishmëri për të ndërmarrë hapa konkretë drejt formimit të një qeverie me mandat të qartë dhe afat të kufizuar kohor.

Në lidhje me akuzat se LDK po shmang një koalicion vetëm me Vetëvendosjen nga frika, Bajrami tha se kjo nuk është çështje frike, por e diferencave të mëdha ideologjike dhe të sjelljes politike të VV-së.

“Nëse do të na interesonte vetëm pushteti, do të ishim në një pozicion më të favorshëm në një marrëveshje dypalëshe, por nuk është kjo arsyeja,” tha ajo.