Bajrami – Muratit: Në këtë fushatë veç me këndim e recitim, se rezultate s’keni
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili pretendon se Qeveria aktuale ka realizuar rritjen më të madhe ndonjëherë të pagave në sektorin publik. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami e ka kundërshtuar këtë deklaratë duke i sugjeruar Muratit të “këndojë ose […]
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili pretendon se Qeveria aktuale ka realizuar rritjen më të madhe ndonjëherë të pagave në sektorin publik.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami e ka kundërshtuar këtë deklaratë duke i sugjeruar Muratit të “këndojë ose recitojë”, pasi në tubimet elektorale ministrat e Qeverisë Kurti po këndojnë disa vargje këngësh.
“Në këtë fushatë veç nëse mundeni me bë diçka me këndim e recitim se rezultate s’keni, andaj merrja këngës edhe ti sikur Arbëria se kurrë si dihet ku e keni të fshehur talentin!”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo ka theksuar se rezultatet konkrete të Qeverisë “nuk shihen askund”.
“Ministri, që i ka rritë pagat në sektorin publik 6 euro e 80 cent brenda një mandati dhe 55 euro pasi janë shpallë zgjedhjet, sot paska provu prapë me propagandë. Qytetarët e dinë kujt i’a ke rritë pagën 45%, nëse ka harru dikush që po ua rikujtoj: 45% Hekurani i’a ka rritë pagën Albinit, vetës, zavëndëskryeministrave, ministrave, zavëndësministrave, këshilltarëve politikë, asistentëve të kabineteve dhe shoferave të tyre”, ka shkruar tutje Bajrami.
Ajo gjithashtu ka akuzuar Qeverinë për dyfishimin e tatimit në pronë dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për qytetarët.
Në anën tjetër, ministri Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se rritja më e madhe ndonjëherë e pagave në sektorin publik ka ndodhur gjatë mandatit të Qeverisë aktuale.
Ai ka theksuar se këtë e vërtetojnë statistikat mbi shpenzimet e buxhetit për paga, përfshirë buxhetin e miratuar për vitin 2025.















