Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me mënyrën se si po i trajton protestat e bizneseve kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, që hyn në fuqi më 1 qershor.

Sipas Bajramit, në vend që Kurti të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e bizneseve, ai po zgjedh të përballet me to dhe t’i krahasojë protestat me barrikadat që ka vendosur Lista Serbe në të kaluarën.

“Beteja e Kurtit nuk është për të ndërtuar, por për të shkatërruar. Është turp që protestat e bizneseve, që janë punëdhënësit më të mëdhenj në vend, të krahasohen me barrikada. Ndërkohë, Kurti nuk thotë asnjë fjalë për kostot prej 800 euro për transportin e 1 megavat energji që e bën kompania e Vuk Hamoviqit – për të cilin ai dikur ligjëronte kur ishte në opozitë”, ka deklaruar Bajrami.

“Fajin e ka Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë, që ka obligim të ofrojë zgjidhje. Na kujtohet kur Kurti e mundi Rrahman Jasharajn me grevat – në fakt nuk e mundi Jasharajn, por arsimin. Nëse Kurti i mund edhe bizneset, atëherë do të mund edhe ekonominë. Kur i mund arsimin dhe ekonominë, e vetmja përfituese është Serbia”, ka theksuar tutje ajo.

Bajrami ka kërkuar hetim të plotë për menaxhimin e sektorit të energjisë gjatë katër viteve të fundit dhe paralajmëroi se nëse kriza nuk trajtohet me përgjegjësi, ekonomia e vendit do të ketë pasoja të rënda.