Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në seancën e jashtëzakonshme ka akuzuar institucionet dhe kompanitë e energjisë për keqmenaxhim dhe dëmtim të qytetarëve përmes faturimit të rrymës.
Ajo ka thënë se nuk bëhet fjalë për gabime teknike në njësorët elektrikë, por për “vjedhje klasike” ndaj qytetarëve që, sipas saj, ka filluar me vendosjen e bllok tarifave.
“Nuk janë thjesht gabime teknike, orët gabim, ora gabim në njësoret e energjisë elektrike, absolutisht. është vjedhje klasike që po ju bëhet qytetarëve prej kohës kur është vendos vendosja e bllok tarifave. Sepse nuk ka familje në Kosovë, unë të paktën nuk e njoh asnjë familje që nuk rrinë zgjuar deri në orën 22 të mbrëmjes për me lëshu pajisjet e energjisë elektrike për me ruajt energjinë elektrike”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të sistemit të tarifave të energjisë, duke thënë se qytetarët, sipas saj, po detyrohen të përshtatin konsumin për të shmangur tarifat më të larta, por prapë po paguajnë më shtrenjtë.
Ajo ka shtuar se ndaj këtyre problemeve po shqiptohen vetëm masa simbolike, ndërsa nuk po ndërmerret asnjë hap për kompensimin e dëmeve të qytetarëve.
Bajrami ka kritikuar gjithashtu Agjencinë e Metrologjisë pasi sipas saj, nuk ka vepruar në mënyrë të duhur ndaj problemeve të ngritura për njësorët elektrikë dhe kompanitë e energjisë si KEDS dhe KESCO.
“Dhe ata rrinë deri në orën 22, i lëshojnë pajisjet e energjisë elektrike dhe çka ndodh? Ata faktikisht, përkundër faktit që mendojnë që po shpenzojnë energji më të lirën janë duke pagu energji më të shtrenjtën. Dhe tash çka po ndodh? Po shqiptohen disa dënime fare simbolike, mirëpo nuk po ndërmerret asnjë hap institucional për pagesën dhe kompensimin e dëmeve që janë bo mijëra qytetarëve. Përkundrazi, departamenti, agjencia e metrologjisë, domethënë, po e mbulon në një far mënyre krimin i cili është bërë nga KEDS dhe KESCO në këtë rast me njësoret e energjisë elektrike”, ka deklaruar Bajrami.