Hykmete Bajrami ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë masa konkrete për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, duke theksuar se deklaratat dhe “ligjëratat” nuk mjaftojnë për zhvillimin e këtij sektori.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se shteti duhet ta subvencionojë sektorin e qumështit në të gjitha hallkat, duke përfshirë fermerët, përpunuesit dhe tregtarët, në mënyrë që qumështi vendor të bëhet konkurrues përballë produkteve të importuara.
Sipas saj, diferenca në çmim mes qumështit vendor dhe atij të importuar duhet të jetë deri në 20 cent për litër, pasi në atë rast konsumatorët do të orientoheshin drejt produkteve vendore.
Ajo ka theksuar se masa të tilla duhet të vazhdojnë deri në konsolidimin e sektorit të qumështit, ndërsa ka kërkuar që politika të ngjashme mbështetëse të aplikohen edhe për produkte të tjera bujqësore.
Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës ka lidhur zhvillimin ekonomik me stabilitetin politik, duke bërë thirrje që prioritet i qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit të jenë ekonomia dhe mbështetja për prodhimin vendor.
“Më 7 qershor, votoni për program”, ka shkruar Bajrami në fund të postimit të saj.