Hykmete Bajrami nga LDK-ja ka kritikuar politikën energjetike të qeverisë në detyrë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar për rritje të varësisë së Kosovës nga importi i energjisë.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka theksuar se vendimet e qeverisë në sektorin e energjisë kanë çuar në mungesë të kapaciteteve të reja gjeneruese, përfshirë mosrealizimin e projekteve si termocentrali i ri dhe projektet me gazin amerikan.
Sipas saj, si pasojë e këtyre vendimeve, Kosova sot po importon rreth 1 miliard euro energji elektrike, duke u bërë më e varur nga tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ajo theksoi se refuzimi i projekteve të mëdha energjetike, përfshirë gazin e lëngshëm amerikan nuk ka sjellë alternativa të qëndrueshme për prodhim vendor të energjisë.
Bajrami gjithashtu ngriti pyetje për projektet e paralajmëruara të qeverisë, si gazifikimi i linjitit dhe bashkëpunimi energjetik me Shqipërinë, duke kërkuar transparencë për kostot, kapacitetet dhe marrëveshjet e mundshme.
“Në fund, çdo refuzim e ka një faturë: Kur nuk prodhon, importon – kur importon, paguan më shtrenjtë – kur paguan më shtrenjtë, rëndon qytetarët dhe bizneset. E ndërkohë, tregtarëve të energjisë u trashen fitimet. Kosova nuk ka nevojë për politikë që e mban peng të importit. Kosova ka nevojë për politikë që prodhon energji, siguri dhe zhvillim”, ka shkruar tutje ajo.
