Ballkani Perëndimor, temë në samitin ShBA-BE

Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që zhvillohet më 20 tetor në Washington.

Kështu konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në Bruksel, duke thënë se në konsultimet me partnerët amerikanë është përmendur edhe Ballkani Perëndimor si temë e samitit.

Megjithatë, burimet diplomatike thanë se kësaj teme nuk pritet që liderët e ShBA-së dhe BE-së t’i kushtojnë shumë kohë në samit, pasi aty do të diskutohet për dy krizat më të mëdha në botë aktualisht, përkatësisht për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktin në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

Po ashtu, vëmendje do të marrin edhe raportet tregtare me Kinën.

Gjithsesi, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga ShBA-ja – situata në Bosnje e Hercegovinë dhe situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, janë tema që kërkojnë kujdesin e përbashkët të Washingtonit dhe të Brukselit.

Një ditë pas mbajtjes së samitit në Washington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në BE thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ShBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

Samiti ShBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus./REL

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika