Patrullimet e KFOR-it janë ri-kthyer në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq. Në dalje të Zveçanit tash e një kohë qëndron një poster me disa fotografi, me presidentin serb në krye e Vladimir Putinin nën të.

Këta dy të fundit mund të kenë pretendime, por kjo zonë kontrollohet nga dikush tjetër.

Forca dhe aftësitë e njësive speciale të Policisë së Kosovës u sfiduan seriozisht të dielën. Një grup terroristësh të cilëve dyshohet se i’u printe Milan Radojçiqi u barrikaduan në këtë fshat të vogël.

Në hyrje të Banjskës u barrikaduan me kamionë mbi urën kryesore. Autoblindat e policisë u nisën e në tentativë për ta liruar rrugën u vra rreshteri, Afrim Bunjaku. Mbi 10 plumba nga afër u shkrepën ndaj tij, dëshmi janë gjurmët në autoblindën në hyrje të fshatit.

Këtu nisi beteja, e terroristët u zhvendosën më në brendësi të fshatit. Rruga ngushtohet e terreni vëashtirësohet, sidomos në kthesën e fundit.

Pamjet e dronit tregojnë se për disa minuta këtu qëndroi udhëheqësi i grupit, gjurmët ende janë të freskëta.

Banjska është kthyer në fshat-muze që tregon se Policia u përballë me rezistencë të ashpër. Pothuajse kudo ka gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, përfshirë edhe nëpër oborre.

Ironikisht në hyrje qëndron tabela që udhëzon të mos hyhet me armë në këtë zonë. Jo vetëm të armatosur deri në dhëmbë, por edhe me mjete të blinduara ushtarake terroristët ia mësyn kësaj dere.

Edhe këtu kanë lënë gjurmë, pije alkoolike e ushqim. Sa qëndruan nuk dihet po nga ikën po. Dolën nga rrethoja e manastirit dhe i këputën telat. Jo vetëm në manastir ka gjurmë. Edhe njëra shtëpi mbi oborrin e manastirit është pothuajse e paprekur, ashtu siç e lanë terroristët që u strehuan.

Përkundër që është vendbanim i dendur, asnjë shtëpi e asnjë civil nuk është dëmtuar.

Kjo është meritë e Policisë, e ky në fakt ishte qëllimi sipas zëvendëskomandantit për Rajonin e Veriut.

“Ne nuk kemi pas qëllim me i vra 30 veta, në asnjë moment, nuk kemi pasur qëllim me e vra asnjë person. Qëllimi jonë është me e marr territorin tonë i cili është i vendit tonë, me e liru këtë vend prej grupeve të organizuara kriminale që nuk duhet të jenë këtu”, ka deklaruar Veton Elshani, zëvendës komandant për Rajonin e Veriut.

Elshani thotë se banorët lokalë por dhe punonjësit në manastir kanë qenë shumë bashkëpunues. Banorët e Banjskës ishin dëshmitarë e ne mes të t’gjithë ngjarjes. Tri ditë pas, jeta në fshat vazhdon normalisht, me më shumë prani të policisë e më shumë siguri për ta.