Banka Popullore e Serbisë thotë se Kosova nuk lejoi hyrjen e dinarëve

“Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës

Banka Popullore e Serbisë tha se autoritetet në Kosovë më 7 shkurt nuk kanë lejuar që në territorin e këtij shteti të hyjnë fondet në dinarë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësues të palës serbe erdhën në pikën kufitare në Jarinjë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – dhe pyetën se a lejohet qarkullimi i mjeteve financiare.

“Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, tha Stavileci.

Sipas Bankës Popoullore të Serbisë, fondet ishin të destinuara për të paguar pagat, pensionet, kontributet shoqërore dhe pagesat e tjera për serbët që jetojnë në Kosovë.

“Në bazë të një praktike të kamotshme, automjeti i Bankës Popullore të Serbisë me mjete në dinarë, sot është dërguar në pikëkalimin në Jarinjë, ku paratë për transport të mëtejmë do të merreshin nga vetura e kompanisë ‘Henderson’, e cila ka licencë nga autoritetet e Prishtinës për transportin e parave. Por, ajo është kthyer pa asnjë shpejgim”, tha Banka Popullore e Serbisë përmes një njoftimi më 7 shkurt.

Kjo bankë tha se paratë ishin të destinuara të shkonin në kasafortën që ajo ka në Leposaviq, një prej katër komunave në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë.

“Banka Popullore e Serbisë dënon fuqishëm incidentin e sotëm dhe riktheson se është e nevojshme që menjëherë të shfuqizohen masat diskriminuese dhe të paligjshme të ndërmarra nga autoritetet në Prishtinë, për të mundësuar transportin dhe shpërndarjen pa telashe të dinarëve dhe për të parandaluar kufizimin e kushteve për jetë të popullatës serbe në Kosovë” u tha në njoftim.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Megjithatë, në këtë rregullore thuhet se institucionet e licencuara për operim në Kosovë mund të kryejnë importin dhe eksportin e valutave. Dogana dhe Policia e Kosovës janë autoritetet përgjegjëse që sigurohen që importi apo eksporti ndërkufitar i euros apo valutave të tjera nga dhe për në Kosovë mund të lejohet vetëm “përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga BQK-ja”./REL

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika