Banka Qendrore e Rusisë paralajmëron inflacion më të lartë

Banka Qendrore e Rusisë rrit parashikimin e inflacionit, paralajmëron ngadalësim ekonomik pas goditjeve ndaj sektorit të karburanteve

Banka Qendrore e Rusisë ka rritur ndjeshëm parashikimin për inflacionin në vitin 2026, duke vlerësuar se ai do të arrijë në 6–7%, krahasuar me projeksionin e mëparshëm prej 4.5–5.5%. Sipas institucionit, rritja lidhet kryesisht me shtrenjtimin e karburanteve, pas dëmtimeve të infrastrukturës energjetike ruse.

Në njoftimin e saj, banka thekson se pritjet inflacioniste të familjeve, bizneseve dhe tregjeve financiare janë rritur, gjë që mund ta vështirësojë rikthimin e inflacionit në nivele më të ulëta.

Guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, e cilësoi situatën si një “goditje të furnizimit”, duke pranuar se çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm që nga mesi i muajit maj.

Në muajin qershor, disa rajone të Rusisë u përballën me mungesa të karburantit pas sulmeve me dronë të Ukrainës ndaj rafinerive ruse, të cilat Kievi i ka intensifikuar si përgjigje ndaj agresionit ushtarak rus.

Njëkohësisht, Banka Qendrore ka ulur edhe parashikimin për rritjen ekonomike të Rusisë në vitin 2026. Projeksioni për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është reduktuar nga 0.5–1.5% në 0.0–1.0%, duke reflektuar pritjet për dobësim të kërkesës dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik.

“Kompanitë presin që kërkesa të ngadalësohet. Duke marrë parasysh kufizimet e përkohshme të kapaciteteve prodhuese, kemi ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë”, deklaroi Nabiullina.

Megjithëse autoritetet monetare presin që kapacitetet e prodhimit të karburanteve të rikuperohen gradualisht deri në fund të vitit, analistët paralajmërojnë se sulmet e vazhdueshme ukrainase ndaj rafinerive dhe qendrave logjistike mund të mbajnë presion të lartë mbi inflacionin dhe ekonominë ruse.

Vetëm të shtunën, dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në Tyumen, një objekt logjistik në Jekaterinburg dhe një depo karburanti në Rostov mbi Don, duke vazhduar fushatën e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika