Është pika e parë e marrëveshjes bazë mes Kosovës e Serbisë por nuk është e qartë se kur mund të nis të zbatohet njohja e dokumenteve, diplomave, targave e vulave doganore ndërmjet shteteve.

Megjithëkëtë, ani se është neni i parë edhe Aneksi i Zbatimit ka një pikë sipas të cilës, palët pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

Qytetarët e Luginës së Preshevës po kërkojnë nga Qeveria që kjo të bëhet me urgjencë, për shkak se ata pësojnë më së shumti nga mosnjohja e disa dokumenteve, siç janë diplomat.

“Po shpresoj që shteti serb ta marr më seriozisht zbatimin e kësaj pike sepse është në të mirë në të gjithë Luginën e Preshevës sidomos për studentët që e kryejnë fakultetin në Kosovë dhe një ditë kthehen dhe fillojnë të kontribuojnë në Luginë të Preshevës”, ka thënë Artan Ibishi, qytetar nga Presheva.

Sipas një përgjigje të Qeverisë së Kosovës, gjithçka pritet të definohet në takimin e ardhshëm të 4 prillit, për shkak edhe të pikës së Aneksit që parasheh krijimin e komisionit që do ta zbatojë marrëveshjen.

“Dokumenti i Aneksit parasheh formimin Komisionit të Përbashkët Mbikëqyrës brenda 30 ditës për të siguruar zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes Bazë. Takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh pritet të mbahet javën që vjen në Bruksel ku edhe do të diskutohet për zbatimin e neneve të marrëveshjes bazë, të cilat duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Pavarësisht kësaj, ka pritje dhe shpresa që dy pikat e nenit të parë të marrëveshjes bazë mes Kosovës e Serbisë, të mos zvarriten në zbatim sikurse marrëveshjet  e kaluara.

“Një afatizim përfshihet vetëm në dy nene, dhe aty nuk hynë neni i parë, kjo nënkupton që ka mundësi që të ketë zvarritje për implementimin e nenit të parë gjithashtu edhe neneve të tjera që nuk kanë afatizim dhe duke e parë edhe të kaluarën pritët të ketë zvarritje”, ka thënë profesori Seb Bytyqi.

Kosova e Serbia kanë arritur edhe më parë marrëveshje të ndara për disa çështje, siç është njohja e diplomave por që kjo marrëveshje nuk ishte zbatuar pas vitit 2014 nga Serbia.