Punën e nisën qysh në mëngjes, por për pak minuta e ndalën plotësisht.
Përballë makinerive dolën banorët, ndërsa qarkullimi në këtë segment të hënën u ndërpre përkohësisht.
Banorët e fshatit Lluzhan të Podujevës protestuan në vendin ku po ndërtohet ura e re, duke kundërshtuar projektin aktual dhe duke kërkuar që në këtë pikë të ndërtohet një rrethrrotullim.
Pakënaqësitë e tyre nuk janë të reja.
Llapjanët thonë se prej muajsh i janë drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me kërkesa, por përgjigje nga ta s’morën asnjëherë.
“S’na ka kthy përgjigje hic, vec I kena qu, dy herë kemi bë ankese, kërkesë, protestë, s’janë marrë parasysh hic. Tokat I kemi lshu, I kemi thënë se kompensim nuk dojmë”, deklaroi Ahmet Ajeti, Banor i fshatit Lluzhan.
Shqetësim kanë edhe për sigurinë në komunikacion për shkak të ngasjes së shpejtë që ndodh rëndom aty.
“Çerdhja e fëmijëve ka me kanë rrezik, se u qu ura pak ma naltë se që u kanë, e shihni edhe ju. Është Ana Petrol, komuna, posta, policia. Rrethi duhet me kanë këtu gjithqysh, janë 20 shpi andej, 200 në anën tjetër”, deklaroi Ismail Ajeti, banor në fshatin Lluzhan.
“Jemi sdi sa familje afër rruge, siguria nuk është në nivel, shpejtësia është jashtëzakonisht e madhe”, Shaqir Berisha, banor i fshatit Lluzhan
Komunikacioni pa rrethrrotullim do të ngarkohet edhe më shumë nga numri i lartë i fermerëve në këtë zonë.
“I kanë pronat me hektarë, që një bujk me veglat e tij me shku 1km e gjys një drejtim dhe poashtu në tjetrin, traktori me rimorikoi e pajisjet e tjera, nuk është në rregull me blloku punën traktori, e nëse do të ishte rrethi këtu, s’do të shkaktonte problem në komunikacion”, Ismet Sekiraqa, banor i fshatit Lluzhan
Për të kuptuar nëse kërkesat e banorëve janë në shqyrtim dhe nëse ekziston mundësia e rishikimit të projektit, televizioni Dukagjini ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo të hënën nuk kanë kthyer përgjigje.