FC Barcelona do të jetë pa një nga yjet e saj kryesorë, Lamine Yamal, për pjesën e mbetur të edicionit aktual.
Klubi katalanas ka njoftuar zyrtarisht se Yamal ka pësuar këputje të muskulit në këmbën e majtë, lëndim që do ta mbajë jashtë fushave deri në përfundim të sezonit. Megjithatë, sipas komunikatës së Barcelonës, ai pritet të rikuperohet në kohë për Kupën e Botës.
“Lojtari do të ndjekë një plan rikuperimi. Ai do të humbë pjesën e mbetur të sezonit, por pritet të jetë gati për Kupën e Botës”, thuhet në njoftimin e klubit.
Yamal e pësoi lëndimin të mërkurën në ndeshjen ndaj Celta Vigo, të cilën Barcelona e fitoi me rezultat minimal 1:0. Sulmuesi i ri realizoi golin e vetëm të takimit nga penalltia në minutën e 40-të, por më pas u detyrua të largohet nga loja në minutën e nëntë të shtesës së pjesës së parë për shkak të dëmtimit.
Mungesa e tij pritet të jetë goditje e madhe për Barcelonën në fazën përfundimtare të sezonit.