Barcelona regjistron temperaturën më të lartë në 112 vjet

Barcelona ka regjistruar temperaturën më të lartë të shënuar ndonjëherë në 112 vitet e fundit, pasi termometri arriti në 40.7 gradë Celsius, sipas të dhënave zyrtare meteorologjike.

Rekordi i ri vjen në mes të një vale intensive të të nxehtit që po përfshin pjesë të mëdha të Evropës, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.

Në rajone të ndryshme të Spanjës, temperaturat kanë arritur deri në 44 gradë Celsius, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për rrezik të lartë nga nxehtësia ekstreme, zjarret dhe problemet shëndetësore.

Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, që ta marrin seriozisht motin e nxehtë.

Autoritetet shëndetësore rekomandojnë shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit dhe qëndrimin në ambiente të freskëta.

Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat e larta mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa ekspertët e klimës theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Të fundit nga rubrika