Është dita 12-të që pjesa dërmuese e komunave veriore po qëndrojnë të bllokuara nga barrikaduesit.

Përkundër se po flitet për heqje të barrikadave nga Policia ose KFOR-i, megjithkëtë po kërkohet marrëveshje politike.

Analisti Dushan Janjiq këmbëngul që barrikadat të hiqen e bashkë me to edhe personat e armatosur.

“Në këtë moment e rëndësishme është të largohen barikadat e sidomos njerëzit e armatosur perrreth tyre dhe forcën policore serbe, kjo vlen për marrëdhëniet për sigurinë në të ardhmen dhe mendoj që kolektivisht duhet të fokusohemi në këtë. Para së gjithash në këtë moment me Beogradin të merreni vesh që këto barrikada të largohen”, ka deklaruar Dushan Janjiq, Analist.

Janjiq nuk e mohon se situata në veri mund të ketë lidhje edhe me planin franko-gjerman, plan që nuk ka gjetur mbështetje në Beograd.

“Mund të ju them që unë shoh disa dallime në praninë politike gjermane. Të gjitha ato ide që janë thënë në publik ato në vetvete nuk kanë qenë të këqija. Këto që kanë ardhur nga plani franko-gjerman e më vonë i ka pranuar edhe Bashkimi Evropian, mendoj që problem publik rreth asaj letre është dhe mënyra se si u plasua ai në media, pa transparencë demokratike dhe ky është problem thelbësor i diplomacisë gjermano-franceze. Këtu pritet sa i përket Beogradit përgjigjja jo, por nuk duhet anashkaluar që ky nuk është vetëm potez i domenit politik dhe propagandës ditore. Kjo është edhe për të krijuar një realitet të ri në veri të Kosovës dhe nje pozicioni të ri të Vuçiqit”, ka shtuar Dushan Janjiq, Analist.

Edhe në Prishtinë janë të mendimi se barrikadimi largohet me marrëveshje politike e jo njëanshëm.

“Mund të hiqen së pari, por vetëm me marrëveshj politike. Sepse siç e tha edhe Kryeministri (Albin Kurti) që paralajmëroi se mund të ketë pasoja edhe në njerëz. Ai madje foli edhe për mundësinë e të vdekurve, kjo do të thotë e vet flet që nuk ka shumë logjikë me i heqë (barrikada) vet Qeveria e Kosovës. Sado që ky do të dukej si aksion sovran e krejt”, ka theksuar Belgzim Kamberi, Instituti “Musine Kokalari”.

Kamberi thekson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është e vetmja arsye për situatën në veri.

“Prandaj ajo (Serbia) insiston që faktikisht (ta bëjë) themelimin paraprak të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkaq nga ana tjetër natyrisht që për Qeverinë e Kosovës është kjo pjesa e njohjes së sovraniteteve (plani franko-gjerman) të ndara, të respektimit të sovraniteteve të ndryshme Serbisë dhe Kosovës, është interes i Republikës së Kosovës dhe në këtë drejtim, natyrisht që pala kosovare do të përpiqet që faktikisht të vihet në rend të parë plani franko-gjerman”, ka përfunduar Belgzim Kamberi, Instituti “Musine Kokalari”.

Kushtëzimi i heqjes së barrikadave në këmbim të Asociacioni nuk e fsheh as Beogradi zyrtar, gjë që u përsërit sot në Azerbajxhan nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.