Ndonëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se në mëngjesin e së enjtes do të fillojë heqja e barrikadave në veri të Kosovës, situata sa i përket pranisë së këtyre barrikadave në veri mbetet ende e njëjtë.

Siç raporton ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini që gjendet në Rudar të Zveçanit, prapa barrikadës vazhdojnë të qëndrojnë serbë protestues, derisa akoma nuk ka ndonjë indikacion për nisjen e largimit të barrikadave.

Ndryshe, të mërkurën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, ka thënë ai, raporton REL.

Ai tha paraprakisht se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Ndërkaq, të enjten, Policia e Kosovës ka konfirmuar se në mëngjesin e hershëm të së enjtes në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur kamionë të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.

Tutje thuhet se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.

“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Policia jep detaje për djegien e kamionëve te “Shkëmbi i Dudës”: Nuk ka të lënduar