Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj shefit për zyrën BE-Ballkan të organizatës “Reporterët pa Kufij”, Pavol Szalai, pas publikimit të indeksit të lirisë së mediave në Kosovë

Basha ka ironizuar me përkatësinë kombëtare të Szalait duke theksuar se ai vjen nga Hungaria – një vend që vetë raporti i “Reporterëve pa Kufij” e cilëson si problematik për lirinë e mediave, me një përqendrim të madh të mediave në duart e oligarkëve dhe me kryeministrin Viktor Orbán të përshkruar si “predator i lirisë së shtypit”.

“Raporti yt po thotë që Hungaria ka shumë probleme serioze me lirinë e shtypit. E para, raporti yt e paska cilësu Orbánin si ‘predator i lirisë së shtypit’. E dyta, që qeveria e tij – përmes oligarkëve – kontrollon mbi 80% të mediave në vend”, ka shkruar Basha.

“Prandaj, nëse e ki seriozisht këtë fushën e lirisë së shtypit, nisu direkt për Budapest edhe merre si shembull Kosovën se si Qeveria nuk i kontrollon mediat”, përfundon reagimin e tij Basha.