Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, pas dështimit të seancës së 22-të për konstituimin e Kuvendit, ka thënë se partia e tij është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e votimit të fshehtë.

Ai para mediave ka kritikuar ashpër partitë opozitare që po refuzojnë të votojnë për formimin e komisionit zgjedhor, të domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Është e paarsyeshme dhe absurde të mbahet shteti pezull për shkak se s’duan të votojnë një komision zgjedhor partitë politike që kanë votuar Gjykatën Speciale dhe ‘Zajednicën’. Iu ka dalë në rrugë komisioni zgjedhor dhe Albulena (Haxhiu)”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka ofruar alternativa për të dalë nga ngërçi politik, por, siç tha ai, Lidhja Demokratike e Kosovës po bllokon procesin për shkak të “hidhërimit personal” të liderit të saj.

“Oferta për LDK-në ka qenë e sinqertë. Kemi mundur të japim rrugë. Deri në klasë të tretë arsyetohet hidhërimi, pas asaj, edhe lideri partiak duhet të dalë mbi veten. Sidomos kur një parti që thirret se është institucionaliste. Është ajo që e bllokon institucionin pasi lideri është hidhëruar”, ka theksuar ai.