Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka akuzuar opozitën për bllokimin e qëllimshëm të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se motivi i tyre është i pastër politik dhe i pabazuar në parime.

Në një deklaratë për media, Basha tha se, ndryshe nga e kaluara kur Vetëvendosje ka përdorur mjetet parlamentare për çështje madhore, sot opozita po vepron thjesht për të penguar kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

“Ne e kemi bllokuar Kuvendin për kauza – për marrëveshje të dëmshme si Zajednica apo përballjen me Gjykatën Speciale. Por sot, opozita po e bllokon për një emër, për Albulenën,” deklaroi ai.

Ai theksoi ironinë e situatës, duke kujtuar që deputetët që më herët kishin votuar për Zajednicën, tani po kundërshtojnë Albulena Haxhiun – e cila, sipas tij, ka qenë konsistente në qëndrimet e saj kundër projekteve të tilla.

“Të njëjtit që kanë pasur votë për Zajednicën, nuk kanë për Albulenën. Për më tepër, po e kundërshtojnë Albulenën e cila ka kundërshtuar edhe Gjykatën Speciale e edhe Zajednicën,” shtoi Basha.

Ai e përfundoi deklaratën me kritikë të ashpër ndaj qëndrimit të opozitës, duke thënë se kjo qasje po e dëmton funksionalitetin institucional dhe po e lë vendin në një ngërç të panevojshëm politik.