Për bashkëpunimin mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit, tanimë nuk ka dilema.
Në pikëpyetje, mbetën veç disa detaje të fundit, për çka sipas nikoqirit të Osmanit në parti, nevojitet veç një bisedë e fundit.
Ky vendim që garës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit t’i hyjnë bashkë, sipas njohësve të çështjeve politike, ishte mundësia e vetme.
“Kjo ka ndodhë për nevojën e të dy palëve. LDK pati rënie të madhe, dhe mundësia për rritje ka mbetë te Osmani. Dhe pas prishjes së Osmanit me Kurtin, Osmanit i ka mbetë veç kjo derë, meqenëse e vetme do ta kishte vështirë konsolidimin”, ka deklaruar Bekim Kabashi, analist politik.
Megjithatë, nga një pikëpamje tjetër, bashkëpunimi konsiderohet si veprim me rrisk të madh politik.
“Mënyra qysh Abdixhiku po tenton ta bëjë bashkëpunimin konsideroj që është e gabueshme. Pasi, ekziston një hendek mes një përqindje të konsiderueshme të anëtarëve të LDK-së dhe Osmanit, për shkak të vitit 2021. Pasi LDK është në këtë gjendje, për shkak të largimit të saj, LDK erdhi te 13%. Andaj, mendoj që është gabim i madh, pasi e njëjta mund të kthehet lehtë, pasi përplasja dhe hendeku mbetet dhe mund të krijojë probleme në të ardhmen”, ka deklaruar Artan Muhaxhiri, analist politik.
Në këtë drejtim, konsiderohet që ekziston edhe një sfidë tjetër për rritje të votës, ajo e rregullimit të raporteve me anëtarët e kryesisë, që ishin kundër kthimit të Osmanit.
“Çdo gjë do varet nga fushata, por edhe nga struktura dhe pajtueshmëria me anëtarët kundërshtues brenda LDK-së. Andaj, nëse menaxhohen, suksesi mund të jetë. Por, nëse do ketë probleme, nuk do arrihet maksimumi”, u shpreh Muhaxhiri.
“Brenda LDK-së ka zëra kundër bashkëpunimit me Osmanin. Por, pafuqia politike, për pengim të bashkëpunimit Vjosa-Lumir. Kjo mund të ketë efekt në zgjedhje, për maksimizim të votës, ashtu sikur të ishte unike, jo veç në këtë rast, por edhe në raport me të tjerët”, ka theksuar Kabashi.
Të shtunën, LDK ka thirrur Këshillin e Përgjithshëm, përmes së cilit bashkëpunimi pritet që të marrë edhe vulën e fundit.