Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë bastisjesh mëngjesin e së mërkurës, që përfshin Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave. Operacioni po zhvillohet paralelisht në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Kështu ka konfirmuar  për televizionin Dukagjini, Kaltrina Shala, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata, ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivës dhe atë kadastral të Kosovës për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Policia e Kosovës ka bërë të ditur se operacion policor i cili përfshin Prishtinën, Ferizajn dhe Shtimen po realizohet per keqperdorim te detyres zyrtare.

“Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Policia.