Policia e Kosovës ka realizuar një kontroll të befasishëm në një kafiteri në Prizren, ku është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë.
Sipas njoftimit, bastisja është kryer më 17 qershor rreth orës 20:40 nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prizren, me asistimin e njësive të tjera policore nga Stacioni Policor në Prizren. Kontrolli është realizuar në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Aksioni është ndërmarrë mbi dyshimet se pronarët e lokalit, dy vëllezër, po shpërndanin narkotikë dhe mbanin armë pa leje. Gjatë kontrollit, në lokal ka qenë i pranishëm i dyshuari D.P., 29 vjeç.
Policia ka bërë të ditur se gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “SIG”, së bashku me 9 fishekë. Ndërsa në lidhje me dyshimet për narkotikë, nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.
I dyshuari është intervistuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 267 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.