Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, ka dhënë detaje për aksionin e gjerë hetimor që përfshiu bastisje dhe kontrolle në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.

Sipas njoftimit, janë kontrolluar hapësirat e dy institucioneve shtetërore: Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë së Arkivave të Kosovës, si dhe disa lokacione të tjera që lidhen me hetimet.

Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona me inicialet M.B., V.B., B.Sh., M.B. dhe Z.Sh. Disa prej tyre janë arrestuar pas intervistimit, mbi dyshimet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë të bëjnë me rastin e kalimit të paligjshëm të pronës publike në pronësi private në zonën e Veternikut në Prishtinë, përmes një aktgjykimi të dyshuar si i falsifikuar.

Prona në fjalë është nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe i takon ndërmarrjes shoqërore RTP.

“Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B. B.SH. M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme. Hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës, dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP”, thuhet në njoftim.