BBC raporton për situatën në veri të Kosovës dhe sulmet ndaj misionit të NATO-s, KFOR-it. Ndërsa protestuesit serbë të hënën e 29 majit u përleshën me trupat e NATO-s nëpër objekte komunale në veri të Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni artikullin e mediumit prestigjioz BBC.

NATO-ja i ka dënuar si “krejtësisht të papranueshme” sulmet e demonstruesve në Kosovë që lanë të plagosur rreth 25 paqeruajtës të saj.

Policia dhe trupat e NATO-s u përleshën me protestuesit serbë në veri, ku ka pasur trazira për vendosjen e kryebashkiakëve shqiptarë etnikë.

Gaz lotsjellës dhe granata trullosëse u përdorën për të penguar protestuesit në Zveçan, pasi ata u përpoqën të pushtonin një ndërtesë qeveritare.

Ushtarët e NATO-s formuan gjithashtu një kordon sigurie rreth dy bashkive të tjera.

Kriza daton në prill kur serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet lokale, duke i lejuar shqiptarët etnikë të marrin kontrollin e këshillave lokale me një pjesëmarrje prej më pak se katër përqind.

Si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja kanë kritikuar autoritetet kosovare për destabilizimin e situatës në veri të Kosovës dhe kanë paralajmëruar kundër çdo veprimi që mund të nxisë tensionet etnike atje.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, pas viteve të marrëdhënieve të tensionuara mes banorëve të saj serbë dhe kryesisht shqiptarë.

Ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia, e mbështetur nga aleati i saj i fuqishëm Rusia, refuzon ta bëjë këtë, ashtu si shumica e serbëve etnikë brenda Kosovës.

Ndërsa shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë në Kosovë në tërësi, serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në rajonin verior.

Paqeruajtësit nga Italia dhe Hungaria ishin në mesin e atyre që u lënduan në dhunën e fundit të hënën, me tre prej tyre të mbetur në gjendje të rëndë, tha NATO-ja. Pesë persona janë arrestuar në lidhje me sulmet.

Presidenti serb Aleksander Vuçiq tha se më shumë se 50 serbë kishin nevojë për trajtim spitalor dhe se edhe më shumë u plagosën.