BBC raporton për “sanksionet” e SHBA-së ndaj Kosovës
Media britanike BBC-ja ka raportuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe për ato që kjo media i quan sanksione ndaj Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një artikull, BBC-ja ka raportuar se SHBA-ja ka njoftuar masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave të saj për të shmangur rritjen e […]
Media britanike BBC-ja ka raportuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe për ato që kjo media i quan sanksione ndaj Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një artikull, BBC-ja ka raportuar se SHBA-ja ka njoftuar masa kundër Kosovës për injorimin e këshillave të saj për të shmangur rritjen e tensioneve në komunat e veriut të banuara me shumicë serbe.
Sipas BBC-së, SHBA-ja ka kritikuar vendimin e Kosovës për të vendosur kryetarët e komunave në veri të Kosovës “me mjete të dhunshme”.
Si rezultat, pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23, është anuluar.
Policia dhe trupat e NATO-s u përleshën të hënën me protestuesit serbë në Zveçan, në veri të Kosovës.
Sipas BBC-së, protestuesit serbë janë përpjekur që të pushtojnë ndërtesat e komunave mes trazirave për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në veri.
Në këtë artikull thuhet se NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë, pasi tha se 30 nga paqeruajtësit e saj dhe 52 protestues u lënduan në përleshjet në Zveçan.
“Një batalion shtesë rezervë është vendosur në gatishmëri dhe do të jetë gati për t’u vendosur brenda shtatë ditësh, nëse kërkohet”.
“Kriza daton që nga prilli, kur serbët etnikë bojkotuan zgjedhjet lokale në veri të Kosovës – duke i lejuar shqiptarët të marrin kontrollin e këshillave lokale me një pjesëmarrje prej më pak se 4%”, thuhet në artikull.
Ish-shefi i NATO-s Lordi Robertson ka akuzuar Serbinë për nxitje të tensionit në Kosovë.
“Ideja se ne do të tërhiqemi plotësisht nga Kosova nuk mund të ndodhë derisa Serbia të fillojë ta pranojë realitetin,” tha ai për programin World Tonight të BBC Radio 4.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja “parashikoi pasojat” e vendimit për vendosjen e dhunshme të kryetarëve të komunave.















