Të paktën 11 persona kanë humbur jetën në Libanin jugor si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, vetëm një ditë pas shpalljes së armëpushimit të ri mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Sipas mediave shtetërore libaneze, avionët luftarakë, dronët dhe artileria izraelite goditën disa zona në jug të vendit, kryesisht në rajonin e Nabatieh, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se operacionet kishin në shënjestër “objektiva terroriste të Hezbollahut”, duke pretenduar se grupi kishte lëshuar më shumë se 50 predha drejt forcave izraelite të vendosura në Libanin jugor.
Zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime në Uashington, i cili ka kritikuar vazhdimin e operacioneve ushtarake dhe druhet se përshkallëzimi i situatës mund të rrezikojë përpjekjet diplomatike për një marrëveshje më të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas raportimeve, marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja synon t’i japë fund luftimeve në të gjitha frontet rajonale, përfshirë edhe Libanin. Teherani ka insistuar vazhdimisht që situata në Liban të jetë pjesë e çdo pakti afatgjatë për stabilizimin e rajonit.
Ndërkohë, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të udhëtojë në Zvicër për bisedime me përfaqësues iranianë, në përpjekje për të konsoliduar marrëveshjen dhe për të ulur tensionet.
Pamjet nga Libani jugor të shtunën treguan shtëllunga të mëdha tymi mbi zonat e goditura, ndërsa Hezbollahu paralajmëroi se rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur çdo sulmi izraelit.
Zyrtari i lartë i grupit, Hassan Fadlallah, deklaroi se prioritet mbetet respektimi i plotë i armëpushimit nga Izraeli dhe shmangia e çdo veprimi që mund të çojë në një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdon të përballet me presion të brendshëm për të mos ndalur operacionet ushtarake kundër Hezbollahut.