Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet e identifikimit ka marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Mediumi BBC, ka shkruar në lidhje me këtë marrëveshje dhe për arsyet që kishin ngjallur tensione për gati një muaj në veri të Kosovës.

“Në vitin 2008, Kosova me shumicë etnike shqiptare shpalli pavarësinë nga Serbia, e cila nuk e njohu kurrë këtë veprim dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të territorit të saj”, shkruan BBC.

“Marrëdhëniet mes qeverisë së dominuar nga shqiptarët dhe pakicës serbe kanë qenë të acaruara prej vitesh. Në fund të muajit të kaluar, tensionet u shndërruan në mosbindje civile”, vijon artikulli.

Kosovë: Pse po ndizen sërish telashet?

Qeveria e Kosovës donte të prezantonte një masë të re që do t’u kërkonte serbëve etnikë të përdornin targat e makinave të lëshuara nga Kosova dhe që njerëzit që hynin në vend nëpërmjet Serbisë të merrnin dokumente të posaçme për hyrje.

Rreth 50,000 njerëz në këto zona kundërshtojnë targat e Kosovës, sepse refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, raporton BBC.

Serbët etnikë në rajonin verior të Kosovës, i cili kufizohet me Serbinë, barrikaduan rrugët dhe disa persona thuhet se qëlluan me armë në shenjë proteste.
Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e rregullave të reja për një muaj.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja tani kanë çuar në një marrëveshje për dokumentet e identitetit, tha zoti Borrell, pasi ai “mori garanci” nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur kartat e tyre të identitetit”, ka shkruar ai në Twitter.

Megjithatë, çështja e targave të makinave mbetet e pazgjidhur.

Kosova është një vend i vogël, pa dalje në det në Ballkan, në kufi me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre.

Por nga 1.8 milionë banorët që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% serbë.

Serbi-Kosovë: Aty ku fqinjët nuk ndajnë as kafe mes vete

BBC, më tej flet edhe për historinë e luftës dhe pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990, Kosova – një krahinë e ish vendit – kërkoi autonominë dhe pavarësinë e saj.

Serbia u përgjigj me një goditje brutale kundër shqiptarëve etnikë që kërkonin pavarësinë.

Kjo përfundoi në vitin 1999, me një fushatë bombardimi të NATO-s kundër Serbisë midis marsit dhe qershorit.

Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova – por për shumë shqiptarë dhe serbë të Kosovës, konflikti nuk është zgjidhur kurrë.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është ende në Kosovë, me një forcë aktuale prej 3,770.

Gjithsej 99 nga 193 vende të Kombeve të Bashkuara e njohin tani pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe 22 nga 27 shtete të BE-së.