Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje tregtare, duke vënë kështu një fund përplasjeve disa mujore mes dy prej partnerëve më të rëndësishëm ekonomikë në botë.

Pas negociatave vendimtare midis Presidentit Donald Trump dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Skoci, u ra dakord për një tarifë prej 15% mbi të gjitha mallrat evropiane që eksportohen në SHBA.

Kjo tarifë është gjysma e taksës prej 30% që Trump kishte kërcënuar të vendoste duke nisur nga dita e premte.

Trump tha se blloku 27-anëtarësh do të hapë tregjet e tij për eksportuesit amerikanë me tarifa zero për disa produkte të caktuara.

Edhe Ursula von der Leyen përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se kjo do të sjellë stabilitet për të dy aleatët, të cilët së bashku përbëjnë thuajse një të tretën e tregtisë globale.

Presidenti amerikan ka kërcënuar me tarifa ndaj partnerëve të mëdhenj tregtarë në një përpjekje për të riorganizuar ekonominë globale dhe për të reduktuar deficitin tregtar të SHBA-së.

Përveç Bashkimit Evropian, ai ka arritur marrëveshje tarifore edhe me Britaninë e Madhe, Japoninë, Indonezinë dhe Vietnamin, megjithëse nuk ka arritur objektivin e tij për “90 marrëveshje në 90 ditë”.

Të dy palët mund të konsiderojnë se kanë fituar, por detajet do të tregojnë më shumë

Marrëveshja e së dielës u njoftua pas bisedimeve private midis Trump dhe Von der Leyen në fushën e golfit të presidentit në Turnberry, South Ayrshire.

Trump, i cili ndodhet për vizitë pesëditore në Skoci, tha pas një takimi të shkurtër me presidenten e Komisionit Evropian: “Kemi arritur një marrëveshje. Është një marrëveshje e mirë për të gjithë.”

“Ajo do të na afrojë më shumë”, shtoi ai.

Edhe Von der Leyen e quajti këtë një “marrëveshje të madhe”, pas “negociatave të vështira”.

Sipas marrëveshjes, Trump tha se BE-ja do të rrisë investimet në SHBA me 600 miliardë dollarë, do të blejë qindra miliarda dollarë pajisje ushtarake amerikane dhe do të shpenzojë 750 miliardë dollarë në energji.

Investimi në gaz natyror të lëngshëm amerikan, naftë dhe karburante bërthamore, tha Von der Leyen, do të ndihmojë në zvogëlimin e varësisë evropiane nga burimet ruse të energjisë.

“Do të doja të falënderoja personalisht Presidentin Trump për përkushtimin dhe udhëheqjen e tij për të arritur këtë përparim,” tha ajo.

“Ai është një negociator i ashpër, por edhe një njeri që di të arrijë marrëveshje.”

Presidenti amerikan gjithashtu tha se tarifa prej 50% që ka vendosur në çelikun dhe aluminin në nivel global do të mbetet në fuqi.

Të dyja palët mund ta interpretojnë këtë marrëveshje si një fitore.

Për BE-në, tarifat mund të ishin më të këqija; niveli 15% është më i lartë se 10% që ka negociuar Britania e Madhe, por i njëjtë me tarifën që ka negociuar Japonia.

Për SHBA-në, kjo tarifë do të sjellë rreth 90 miliardë dollarë të ardhura në buxhetin qeveritar bazuar në shifrat tregtare të vitit të kaluar, si dhe qindra miliarda dollarë investime të reja që pritet të hyjnë në SHBA.

Tregtia në mallra ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ishte rreth 975.9 miliardë dollarë vitin e kaluar. SHBA-ja importoi rreth 606 miliardë dollarë mallra nga BE-ja dhe eksportoi afro 370 miliardë dollarë.

Ky disbalancë, apo deficit tregtar, ka qenë një çështje kyçe për Trump, i cili thotë se marrëdhëniet tregtare të tilla dëmtojnë SHBA-në.

Nëse do ta kishte zbatuar tarifën ndaj Evropës, taksat do të godisnin produkte nga barnat spanjolle, lëkura italiane, elektronika gjermane dhe djathi francez.

BE-ja kishte paralajmëruar se ishte gati të hakmerrej me tarifa ndaj produkteve amerikane, duke përfshirë pjesë makinash, avionë Boeing dhe mish viçi.

Kryeministri britanik Keir Starmer planifikon një takim të tijin me Trump-in në Turnberry të hënën.

Trump do të jetë në Aberdeen të martën, ku familja e tij zotëron një tjetër fushë golfi dhe do të inaugurojë një të tretë muajin e ardhshëm.

Presidenti dhe djemtë e tij planifikojnë të marrin pjesë në ceremoninë e prerjes së shiritit për fushën e re./BBC