BE do të përgatisë sanksione të reja kundër Rusisë

Ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord të përgatisin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe të rrisin dërgesat e armëve në Kiev

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy është fotografuar në ekranet video teksa mban një fjalim të regjistruar në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në selinë e OKB-së në New York City, SHBA, 21 shtator 2022. Foto Reuters





Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), kanë rënë dakord të përgatisin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe të rrisin dërgesat e armëve në Kiev.

27 ministrat e Jashtëm të bllokut ndodhen në New York për mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Kombet e Bashkuara, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të diskutuar joformalisht se si t’i përgjigjen zhvillimeve të fundit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se njoftimi i presidentit rus Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm, i cili përfshinte lëvizje për të aneksuar pjesë të territorit ukrainas, dhe një kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore për të mbrojtur Rusinë, tregoi panik dhe dëshpërim.

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”, u ka thënë Borrell gazetarëve pasi ministrat u takuan për të vendosur se si të përgjigjen.

Pasi u informuan nga ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ministrat ranë dakord të ngarkojnë ekipet e tyre për të përgatitur një paketë të tetë sanksionesh që do të synonte sektorë më të rëndësishëm të ekonomisë ruse dhe do të vazhdonte të synonte njerëzit përgjegjës për luftën e agresionit në Ukrainë.

Ministrat e BE-së do të mbajnë takimin e tyre të ardhshëm zyrtar në mes të tetorit, kur një paketë sanksionesh mund të zyrtarizohet.

Ministrat ranë dakord gjithashtu të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë, ndërsa,  Borrell nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme mbi llojin e sanksioneve apo mbështetjes ushtarake, por ka thënë se besonte se do të kishte mbështetje unanime brenda bllokut për masa të reja.

Sipas gazetës Politico, plani i sanksioneve përfshin kufizimin e çmimit të naftës ruse dhe ndalimin e importit të mallrave luksoze ruse, raporton AA.

Ndërsa, ambasadorët e BE-së pritet të diskutojnë detajet të premten.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja ka ofruar gjithsej 2.5 miliardë euro ndihmë ushtarake, duke përfshirë armë vdekjeprurëse, si dhe pajisje mbrojtëse personale, kuti të ndihmës së parë dhe karburant.

Gjithashtu, ajo ka vendosur shtatë paketa sanksionesh, duke synuar, ndër të tjera, Putinin dhe Ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, duke ndaluar importet e arit, naftës dhe qymyrit, si dhe eksportin e mallrave luksoze dhe teknologjisë së lartë, si dhe duke përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Kujtojmë se, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 7 shtator kishte kritikuar Perëndimin, duke thënë se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë janë një “rrezik” për botën.

Duke folur në një forum ekonomik në Rusinë Lindore, Putin ka shtuar se vendet perëndimore janë përpjekur në mënyrë agresive të imponojnë mënyrën e tyre të jetesës në vendet e tjera dhe t’i bëjnë ato “të nënshtrohen ndaj vullnetit të tyre”.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika