Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Komisioni Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave kufizuese ndaj Kosovës.
Sipas Bislimit, vendimi i është komunikuar përmes një letre zyrtare nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman.
Në këtë letër thuhet se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë totale prej 34.6 milionë euro, të cilat tashmë nuk do të jenë më subjekt i masave kufizuese.
“Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.
Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka shkruar Bislimi.