BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe për “spastrimin etnik” të Kosovës

Bashkimi Evropian dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.

Sipas saj, ato bien ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi Hipper.

Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.

Millosheviq ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviq.

Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë – pjesë e së cilës është që nga viti 1992.

“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që bëri sakrifica të mëdha – emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Paunoviq është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024.

Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiq, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres.

Ai tha se ata që e akuzojnë Paunoviqin se “ka bërë thirrje për spastrim etnik”, tash e sa vite, “heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.

Zyrtarët serbë akuzojnë shpesh autoritetet e Kosovës për dëbimin e serbëve, por pa paraqitur prova që do t’i mbështesnin këto pretendime.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999.

Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.

Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviq.

I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika