BE-ja dënon dhunën e shfaqur në Kuvend të Kosovës
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dhunën e shfaqur sot në Kuvendin e Kosovës, derisa këto skena i ka konsideruar zhgënjyese. “Skena zhgënjyese dhune u panë sot në kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi […]
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dhunën e shfaqur sot në Kuvendin e Kosovës, derisa këto skena i ka konsideruar zhgënjyese.
“Skena zhgënjyese dhune u panë sot në kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, ka thënë ai.
Ndaj skenave të dhunës ka reaguar edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Është për të ardhur keq të shoh se çfarë ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës. Do të doja të mos kisha nevojë ta thosha këtë: përdorimi i dhunës nuk është kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur mospajtimet. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i çdo legjislativi të demokracisë”, ka shkruar Hovenier.
Gjatë ditës, situata ka eskaluar deri në konfrontime fizike në mes të opozitës dhe pushtetit. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e kishte hequr nga foltorja e kuvendit një pankartë të vendosur nga opozita. Pas kësaj, deputeti Mërgim Lushtaku shkon dhe e gjuan me ujë kryeministrin Albin Kurti dhe Bislimin.
Bislimi, pastaj e gjuan me shishe Lushtakun, ku edhe eskalon edhe më tej situata. Lushtaku dhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa, e kanë grushtuar Hekuran Muratin dhe po ashtu Bislimin e kanë goditur me shuplakë.















