Dy institucione të rëndësishme evropiane kanë mohuar se ka ndonjë dokument të ri që synon të riformatojë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Një i tillë u publikua së fundmi në media online, sipas të cilave, Gjermania, Franca dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ua kanë prezantuar palëve.

“Zakonisht ne nuk komentojmë mediat që publikojnë dokumente të supozuara të BE-së, nuk komentojmë as autenticitetin dhe përmbajtjen e tyre, por në këtë rast, ajo që ata publikuan duke pretenduar se është “kornizë e re për Dialogun” është krejtësisht e gabuar, nuk kemi parë kurrë një letër të tillë më parë dhe nuk vjen nga ekipi i BE-së që merret me dialogun”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Kjo është mohuar edhe nga Qeveria gjermane, ku një zëdhënës i saj tha se kjo është një shpikje me të cilën nuk ka të bëjë asgjë Gjermania.

“Ne kemi marrë parasysh raportimet në mediat shqiptare për një të ashtuquajtur rrjedhje të një dokumenti 4 faqesh që dyshohet se i është dorëzuar nga Franca, Gjermania, Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, kryeministrit Kurti dhe Presidenti Vuçiq. Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruhet në raporte nuk vjen nga Franca, Gjermania apo Përfaqësuesi Special i BE-së. Nuk kemi asnjë informacion se kush e ka shpikur dhe me çfarë qëllimi”.

Në Prishtinë, nuk kanë folur për këtë dokument por në Beograd, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ditë më parë u tha gazetarëve se e ka refuzuar atë.

E pikërisht kjo, sipas profesorit Milazim Krasniqi vë në pikëpytje gjithë rrjedhën e kësaj ngjarje.

“Sipas gjitha gjasave është një balon provues për të parë efektet dhe kjo tregon pafuqinë e BE-së dhe shteteve si Franca e Gjermania që e kanë njohur Kosovën vetë por pastaj krijojnë gjendje për të vë në dyshim ekzistencën e saj”, ka thënë Krasniqi.

Një këndvështrim tjetër e jep analisti, Artan Muhaxheri.

“Kjo është një dëshmi se pa një presion nga ana e Gjermanisë dhe Francës nuk mund të ketë një marrëveshje dhe vetëm më anë të presionit është e mundshme që liderët ta ndryshojnë qasjen”, ka deklaruar Muhaxheri.

Kosova e Serbia u takuan në nivel të lartë në prani të ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian më 18 gusht të këtij viti.

Ndonëse pa një rezultat por në dakordim që takimet t’i vazhdojnë çdo muaj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Por, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka organizuar një drekë të përbashkët për liderët e Ballkanit Perëndimor këtë të martë në New Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ndonëse nuk kanë dhënë detaje, BE ka bërë të ditur se presidenti serb, Vuçiq dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet të marrin pjesë së bashku me kolegët e tyre nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.