Bashkimi Evropian ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, ka thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi përmes procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Sipas tij, personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një panel të veçantë.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje”, ka deklaruar Wigand.
Ai ka theksuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.
“Drejtësisë duhet t’i lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Wigand ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e kahershme të BE-së për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se ato janë themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës të viteve 2014 dhe 2015 dhe veprojnë brenda sistemit juridik të Kosovës.
Sipas tij, puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës, duke kontribuar kështu në pajtim.
Në fund, BE-ja ka theksuar rëndësinë e krijimit të një mjedisi të lirë nga frikësimi, frika dhe hakmarrja, si dhe mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve.