Udhëheqës evropianë janë mbledhur të hënën në Rovaniemi të Finlandës për të diskutuar qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj Arktikut, në një kohë kur rëndësia strategjike dhe ekonomike e rajonit po rritet.
Në samitin “European Arctic Summit” marrin pjesë kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministrat e Estonisë dhe Letonisë, presidentët e Lituanisë dhe Rumanisë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Diskutimet përqendrohen te rrugët e reja detare, pasuritë minerare dhe kërcënimet e sigurisë që lidhen me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë. Finlanda kërkon që strategjia e re të përfshijë edhe forcimin e kapaciteteve evropiane për akullthyes, të cilat konsiderohen të rëndësishme për mbrojtjen e rrugëve të furnizimit dhe tregtisë në veri.
Komisioni Evropian pritet të publikojë strategjinë e re për Arktikun në javët e ardhshme, ndërsa takimi i së hënës synon të ndikojë në përmbajtjen përfundimtare të saj. Dokumenti i fundit i BE-së për Arktikun daton nga viti 2021.
Arktiku po ngrohet rreth katër herë më shpejt se rajonet e tjera, ndërsa shkrirja e akullit po hap mundësi të reja për transport dhe shfrytëzimin e burimeve minerare. Zhvillimet kanë shtuar interesimin dhe aktivitetin energjetik, ekonomik dhe ushtarak të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë në rajon.
Në këtë kuadër, çështja e sigurisë është bërë më e ndjeshme edhe për shkak të tensioneve rreth Grenlandës, territor danez ku SHBA-ja ka shprehur interes të shtuar strategjik. NATO ka nisur ndërkohë një mision të ri sigurie në rajonin e Arktikut.