BE-ja e quan të papranueshme sjelljen e Bislimit ndaj Lajçakut
Një ditë pas refuzimit për të marrë pjesë në takim dhe akuzave ndaj Bashkimit Evropian, Brukseli i është kundërpërgjigjur kryenegociatorit Besnik Bislimi. Sjellja e zëvendësit të kryeministrit Albin Kurti është vlerësuar e papranueshme nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai i ka thënë Dukagjinit se shpreson që Bislimi ta ndryshojë qasjen e tij. “BE-ja po […]
Një ditë pas refuzimit për të marrë pjesë në takim dhe akuzave ndaj Bashkimit Evropian, Brukseli i është kundërpërgjigjur kryenegociatorit Besnik Bislimi.
Sjellja e zëvendësit të kryeministrit Albin Kurti është vlerësuar e papranueshme nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai i ka thënë Dukagjinit se shpreson që Bislimi ta ndryshojë qasjen e tij.
“BE-ja po përpiqet të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për një problem të krijuar nga një vendim i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i është komunikuar paraprakisht popullsisë së prekur. Shpresojmë që z. Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet në vend që të akuzonte në mënyrë të pavend dhe pa bazë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, ka deklaruar Stano.
Kryenegociatori Bislimi refuzon të shkojë në Bruksel për të diskutuar rreth dinarit serb, pasi vlerëson se kjo çështje nuk është pjesë e dialogut.
Në takim, Bislimi ka paralajmëruar se do të dërgojnë një përfaqësues jashtë ekipit të tij.
Ndërsa, Stano i ka thënë televizionit se në ftesën e emisarit Miroslav Lajçak nuk është specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë, por ua ka lënë këtë në dorë palëve.
Bislimi akuzoi BE-në se takimin e 27 shkurtit e caktoi pa u dakorduar paraprakisht me palët siç ndodhë zakonisht.
Mirëpo, zëdhënësi i bllokut evropian ka deklaruar se takimi është ftuar pas takimit që liderët e të dyja shteteve takuan javën e kaluar në Munih kryediplomat e BE-së, Josep Borrell.
Brukseli vazhdon insistimin se dialogu është e vetmja rrugë për t’i zgjidhur problemet, përfshirë çështjen e dinarit.
“Qëndrimi jokonstruktiv i autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm sa e largojnë edhe më shumë Kosovën nga perspektiva e saj evropiane”, ka deklaruar Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.
Njohësi i dialogut, Artan Muhaxhiri e ka parasysh burokracinë e BE-së, por ai nuk beson se ajo ka caktuar takimin pa u konsultuar me palët.
Muhaxhiri thotë se Qeveria gabimisht ka vendosur të hyjë në betejë frontale me BE-në dhe ShBA-në për çështjen e dinarit.
“Nëse eventualisht mbahet një takim i tillë, ai nuk do të ketë kurrfarë vlere konkrete politike, as ndonjë efekt pasi Qeveria nuk do të bëjë ndonjë ndryshim, do t’i përsëris qëndrimet e veta të njohura për dinarin dhe nuk do të ketë pra kurrfarë dobie nga ndonjë takim i tillë. Nëse eventualisht shkon guvernatori edhe ai do ta thotë atë që vazhdimisht e ka thënë”, ka thënë ai.
Televizioni, ka pyetur qeverinë në lidhje me emrin dhe pozitën e zyrtarit që mund të dërgohet në Bruksel për takimin e javës së ardhshme, por zyrtarë të saj kanë thënë se për këtë, do të ketë një njoftim me kohë.















