BE-ja e tërheq vendimin për pezullimin e ndihmave për palestinezët

Komisioni Evropian tha të hënën vonë se ndihmat humanitare për palestinezët nuk do të pezullohen

Flamuj të Bashkimit Evropian

Komisioni Evropian tha të hënën vonë se ndihmat humanitare për palestinezët nuk do të pezullohen, duke e hedhur poshtë një deklaratë paraprake të njërit prej zyrtarëve të vet të lartë.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha të hënën gjatë ditës se pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit të shtunën “të gjitha pagesat [për palestinezët] do të pezullohen menjëherë. Të gjitha projektet janë nën shqyrtim. Të gjitha propozimet e reja buxhetore, përfshirë edhe ato për vitin 2023 janë shtyrë deri në një njoftim të ri”.

Në një reagim më vonë, Komisioni Evropian e kundërshtoi zyrtarin e vet Varhelyi, duke thënë se “nuk do të ketë pezullim të pagesave”. Komisioni nuk dha shpjegim për këtë rrëmujë.

Që nga e shtuna, përkrahja e 27 vendeve të BE-së për Izraelin ka qenë e madhe, të cilat kanë thënë se vendi ka çdo të drejtë brenda ligjit ndërkombëtar të mbrojë veten në luftë me Hamasin.

Ndërkohë, Spanja e ka kundërshtuar ndaljen e ndihmave për palestinezët, me ministrin e Jashtëm në detyrë të saj, Jose Manuel Albares, që tha të martën se “ky bashkëpunim duhet të vazhdojë patjetër, sepse nuk mund ta përziejmë Hamasin, të cilin BE-ja e ka në listën e grupeve terroriste, me popullin palestinez, apo autoritetin palestinez, apo organizatat e Kombeve të Bashkuara në terren”.

Ai tha për radion spanjolle Cadena SER se territoret palestineze me gjasë do të kenë nevojë për më shumë ndihma në të ardhmen e afërt, pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit të shtunën dhe bombardimeve hakmarrëse izraelite ndaj Rripit të Gazës si pasojë.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen sot për të biseduar për këtë çështje.

Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe të ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Kjo ka nxitur frikë se gjendja tashmë e rëndë humanitare në Gaza do të përkeqësohet shumë shpejt.

Izraeli i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë./REL

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika